Obeziteti
Obeziteti: Përkufizimi dhe trajtimi
Maria Skoura
Ka një epidemi botërore të obezitetit tek adoleshentët. Në Greqi, përqindja e adoleshentëve mbipeshë/obezë është rritur nga 15.4% në 22%, brenda një periudhe 10 vjeçare, nga viti 2000 deri në 2010. Rreziku i obezitetit është shumë i lartë te vajzat adoleshente, sepse trupi i tyre pëson shumë ndryshime.
Cili është përkufizimi i obezitetit?
Obeziteti është një term i përdorur për të përshkruar dikë që është shumë mbipeshë, me shumë dhjam në trup. Një nga mënyrat kryesore dhe më të lehta për të klasifikuar shëndetin e një personi në lidhje me peshën e tij/saj është indeksi i masës trupore (BMI).
BMI përkufizohet si pesha e një personi pjesëtuar me gjatësinë e tij në katror.
BMI mund të aplikohet tek adoleshentët për t’i klasifikuar ata si mbipeshë (adoleshentët me çrregullime në nivelin e yndyrnave, më pak se normalja), normalë, mbipeshë dhe obezë, duke përdorur matës në bazë të moshës dhe gjinisë. Në tabelën më poshtë paraqiten disa norma për adoleshentët.
Tabela 1. BMI-ja në bazë të moshës dhe gjinisë
gjinia | mosha | Klasifikimi (BMI) | |||
Nënpeshë | Normal | Mbipeshë | Obez | ||
meshkujt | 11 vjeç | ≤18 | 19-20,89 | 20,9-25,58 | >25,58 |
13 vjeç | ≤18 | 19-22,27 | 22,28-27,25 | >27,25 | |
15 vjeç | ≤18 | 19-23,60 | 23,61-28,60 | >28,60 | |
femrat | 11 vjeç | ≤18 | 19-21,20 | 21,21-26,05 | >26,05 |
13 vjeç | ≤18 | 19-21,98 | 22,99-28,20 | >28,20 | |
15 vjeç | ≤18 | 19-24,17 | 24,18-29,29 | >29,29 |
Nëse jeni mbipeshë, ka shumë gjasa të vuani nga një sërë problemesh serioze të mundshme shëndetësore, duke përfshirë:
• Trigliceridet e larta
• Kolesteroli i lartë
• Diabet i tipit 2
• Probleme psikologjike
• Sindroma policistike e vezoreve (PCOS)
• Osteoartriti
• Rreziku për të mbetur obezë gjatë gjithë jetës
Trajtimi
Mënyra më e mirë për të trajtuar obezitetin është të keni një dietë të shëndetshme dhe me kalori të reduktuara dhe të bëni rregullisht ushtrime fizike. Për ta bërë këtë duhet: të mbani një dietë të ekuilibruar dhe me kalori të kontrolluara, dhe të kufizoni ushqimet me nivele të larta yndyrnash të ngopura, si patatet e skuqura, brioshët, produktet e brumit (byrekët me djathë, picat), ushqimet e shpejta, ushqimet e përpunuara dhe gjithashtu të ndryshoni zakonet tuaja në gatim duke përdorur më pak yndyrë.
Duke ngrënë tre vakte kryesore në ditë dhe dy vakte të ndërmjetme, mund të kufizoni sasinë e ushqimit me yndyrë që konsumoni. Reduktoni gradualisht sasinë e racioneve ditore për të kontrolluar peshën tuaj. Konsumoni më shumë fruta dhe perime dhe ndërkohë kufizoni pijet freskuese me sheqer, për të rënë më shpejt në peshë dhe për ta bërë dietën tuaj të përgjithshme më të shëndetshme.
Ushtrimet e rregullta fizike do t’ju ndihmojnë të bini në peshë në mënyrë më të konsiderueshme. Ushtrimet fizike mund të jenë një veprimtari ditore e këndshme, duke u angazhuar me lojëra ose veprimtari fizike apo sportive. Po të kombinoni një mënyrë aktive jetese, me zakone më të shëndetshme ushqyerje, do të përmirësoni cilësinë e jetës suaj si adoleshent, por edhe si i rritur, për gjatë gjithë jetës.
Maria SkouraDietologe, Anëtare shkencore e Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët