Si ta mbroj trupin tim nga sëmundjet
Si ta mbroni trupin tuaj nga sëmundjet
Maria Skoura
Rrugëtimi nga adoleshenca në moshën e pjekurisë përfshin veprimtari të ndryshme, jetë sociale dhe detyrime. Ne duhet të tregojmë kujdes për sëmundjet, si gripi, që mund të ndikojnë në rutinën tonë të përditshme. Prandaj, është e rëndësishme të mbroni shëndetin tuaj duke forcuar mekanizmat natyrorë mbrojtës të trupit tuaj.
Qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) janë pjesë thelbësore e sistemit imunitar. Ka edhe elementë të tjerë të rëndësishëm ushqimorë të domosdoshëm për funksionin që kryejnë qelizat e gjakut. Për shembull, antioksidantët – vitaminat A, C, E dhe zinku mbrojnë trupin ndaj efekteve shkatërruese të radikaleve të lira që futen në trup apo prodhohen nga trupi ynë dhe i bëjnë qelizat më të ndjeshme ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve.
Vitamina A është e rëndësishme për sistemin tuaj imunitar, duke vepruar si mburojë kundër viruseve. Gjithashtu, ajo të mbron fuqishëm kundër oksidimit pasi rrit mbrojtjen e membranave qelizore. Atë e gjejmë te gjalpi, vezët, mëlçia, karotat dhe produktet e qumështit.
Edhe vitamina C luan një rol shumë të rëndësishëm në sistemin imunitar të trupit. Mungesa e vitaminës C mund të ulë rezistencën e trupit ndaj disa organizmave patogjene. Sipas studimeve, konsumi ditor i vitaminës C mund të zvogëlojë shpeshtësinë, kohëzgjatjen ose shkallën e një të ftohti. Atë e gjejmë te kivi, qitroja, frutat e pyllit (luleshtrydhet, boronicat), shega, specat, brokoli, spinaqi dhe perime të tjera.
Vitamina E është antioksidanti më i shumtë në trup. Bashkë me vitaminën C, ajo është një nga antioksidantët çlirues më efikas që ekziston. Edhe vajrat bimore (vaji i ullirit, vaji i lulediellit), salmoni, frutat e thata janë burime të pasura me vitaminë E.
Zinku është i rëndësishëm për një sistem të shëndoshë imunitar. Mungesa e zinkut mund të jetë shkaku si për të ftohtin ashtu edhe për gripin. Atë e gjejmë kryesisht te mishi i viçit, frutat e detit, vezët, sardelet dhe drithërat integrale.
Disa ushqime të tjera që gjithashtu parandalojnë dhe të mbrojnë nga sëmundjet janë: hudhra, kosi dhe lakra. Sipas studimeve, hudhra vepron fuqishëm si antibakterial dhe mund të luftojë sëmundjet. Kosi, prebiotikët e tjerë dhe produktet e fermentimit si kefiri, përmirësojnë gjithashtu shëndetin e zorrëve, pasi 60-70% e sistemit imunitar bazohet në sistemin gastrointestinal.
Disa këshilla të tjera për t’u mbrojtur kundër sëmundjeve janë: larja e duarve para se të hani, shmangja e hapësirave të mbyllura dhe vendeve plot me njerëz, konsumimi i ushqimeve të shëndetshme. Në rast se ju zë gripi, pushoni shumë, pini shumë lëngje dhe hani supë, p.sh. supë pule ose supë me perime.
Maria SkouraDietologe, Anëtare shkencore e Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët