Puberty icon

Puberteti

Të mësuarit e kontrollit të ndjenjave të mia

SHIH TË GJITHË ARTIKUJT
big image for Provimet shkollore – Udhëzues suksesi

Provimet shkollore – Udhëzues suksesi

Gjatë adoleshencës mësoni gjëra të reja, njihni më mirë veten, argëtoheni me shokët ose me të dashurin, por kjo është edhe një kohë gjatë së cilës rriten edhe detyrimet tuaja në shkollë. Procesi i provimeve është diçka krejtësisht e re dhe mund t’ju stresojë. Të stresuarit për provimet vjen zakonisht për shkak të rëndësisë së madhe që ato kanë për familjen tuaj, për shoqërinë dhe, sigurisht, edhe për vetë ju. Jeta familjare rrotullohet dhe organizohet shpesh rreth studimeve tuaja dhe arritjes së rezultateve sa më të mira në ato provime.

Një nivel i moderuar stresi rreth provimeve është i nevojshëm dhe shumë i dobishëm. Mund t’ju ndihmojë që të fitoni kohë dhe të organizoni studimet. Gjatë provimeve, stresi e mban trupin vigjilent dhe mpreh disa funksione që janë të nevojshme për një performancë sa më të mirë (vëmendjen, kujtesën, përqëndrimin). Megjithatë, stresi i tepruar për provimet mund të ndikojë negativisht te përgatitjet dhe studimet tuaja. Në vend që të përqendroheni tek përmbajtja për të cilën do të jepni provim, fokusoheni vetëm tek gjërat që mund të mos shkojnë mirë.

Disa këshilla praktike për nxënësit

• Është e rëndësishme që ta kuptoni vetë se çfarë do të thonë ato provime për ju. Çfarë do të thotë të dështoni dhe çfarë do të thotë të dilni me sukses.

• Planifikojeni dhe organizojeni me kujdes përmbajtjen që do të duhet të mësoni për provimet. Për shembull, bëni këtë llogaritje: “Ky është numri i faqeve që duhet të studioj, kaq kohë më duhet për të studiuar një faqe, kështu që për t’u përgatitur siç duhet, më duhen kaq orë gjithsej”. Planifikojini ato orë gjatë ditës apo ditëve që keni në dispozicion për t’u përgatitur për një provim të caktuar. Kini parasysh se koha që i duhet dikujt për të mësuar diçka ndryshon nga një person te tjetri. Disa njerëz mësojnë më shpejt, të tjerë më ngadalë. Kështu që tregohuni të sinqertë me veten dhe kujdesuni që të keni kohë të mjaftueshme për të studiuar.

• Përpiquni të mos lini kapituj të tërë, duke menduar se nuk janë edhe aq të rëndësishëm apo se nuk ia vlejnë si material që mund t’ju bjerë në provim. Edhe mundësia që një kapitull që nuk keni studiuar të jetë një nga temat e provimit do t’ju bëjë të ndiheni të stresuar.

• Mos e lini përsëritjen për momentin e fundit.

• Bëni herë pas here ndonjë pushim të vogël. Jepini mundësi vetes të qetësoheni pak.

• Bëjeni përsëritjen bashkë me shokët. Takohuni me shokët e shoqet e klasës dhe bëjini pyetje njëri-tjetrit.

• Zëvendësojini mendimet negative si “S’kam për t’ia dalë, do dal shumë keq në provime” me mendime pozitive: “Edhe pse kam frikë, do t’i dal mbanë” ose “Për t’u përgatitur, jam përgatitur, kështu që gjithçka do shkojë mirë, do kem rezultate të mira”.

• Ju ndihmon të dëgjoni edhe këshillat e të afërmve, por ajo që është vërtet e rëndësishme është që në fund të fundit ta vendosni vetë se kë të dëgjoni, çfarë ju ndihmon dhe çfarë nuk ju ndihmon.

• Përpiquni t’u thoni prindërve, mësuesve dhe miqve tuaj se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë jo, në mënyrë që mos t’ju ngarkojnë me më shumë stres.

• Përpiquni të mos rrini jashtë deri vonë para provimeve dhe të kujdeseni që të pushoni e të flini mirë natën.

• Mos harroni të ushqeheni mirë. Ushqyerja është si karburanti i makinës.

• Bëni dush çdo mëngjes me ujë të vakët.

Ditën e provimit

• Çohuni herët, hani mëngjes, bëni gati gjithçka që ju duhet në provim dhe shkoni në orar në vendin ku do të zhvillohet provimi.

• Gjatë provimit, përqendrohuni, qetësohuni dhe merrni frymë me qetësi.

• Lexojini pyetjet me kujdes dhe organizojeni mirë kohën (duke e ndarë sipas numrit të pyetjeve).

• Përdorni një fletë të papastër për të organizuar mendimet.

• Nëse ngecni tek një pyetje, vazhdoni me tjetrën dhe përpiquni t’i përgjigjeni asaj pasi të keni mbaruar me gjithçka tjetër.

• Përpiquni të kurseni pak kohë për në fund që të lexoni edhe një herë përgjigjet tuaja.

• Nëse ndiheni shumë të stresuar gjatë provimit, mos u dorëzoni menjëherë. Përpiquni të kujtoni se simptomat e stresit, pavarësisht sa të forta janë, zakonisht zhduken për disa minuta.

•Mendoni pozitivisht: fleta juaj e provimit është e rëndësishme, përpjekjet që keni bërë janë vërtet të dukshme dhe gjithçka do shkojë mirë.

Thjesht mos harroni se jeta vazhdon edhe pas provimeve. Dështimi, pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë, nuk është fundi i botës, edhe pse mund të duket i tillë. Keni për të pasur mundësi sa të doni që të përpiqeni të arrini qëllimet tuaja në të ardhmen.

Në bashkëpunim me:

Vassiliki Dimitrakopoulou

Psikologe, Bashkëpunëtore Shkencoree Shoqatës Greke të Mjekësisë për Adoleshentë

Artemis Tsitsika

Ass. Profesore e Pediatrisë–Mjekësia për Adoleshentë, Koordinatore Shkencore e Programit "PROLEPSIS» realizuar nga Shoqata Greke e Mjekësisë për Adoleshentët

Artikuj më të vjetër

SHIH TË GJITHË ARTIKUJT
SHIH TË GJITHË ARTIKUJT
 find your type banner find your type logo

GJURMO CIKLIN

Ndiqni tre hapa të thjeshtë për të gjurmuar periodat tuaja!

Përllogarit tani