Vlerat ushqyese të mëngjesit
Vlerat ushqyese të mëngjesit
Maria Skoura
Studimet e fundit tregojnë se vetëm 2 në çdo 5 adoleshentë hanë mëngjes çdo ditë, ndërsa 1 në 3 vajza nuk hanë mëngjes përpara se të shkojnë në shkollë. Vajzat adoleshente kanë nevojë për nivele të larta energjie dhe lëndësh ushqyese, meqenëse trupi i tyre rritet shpejt, në mënyrë që të arrijnë rezultatet më të mira të mundshme për t’u zgjatur dhe për një lëkurë dhe trup të shëndetshëm. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, sepse ai është burimi kryesor i energjisë së trurit. Sasia e kalorive që trupi juaj ka nevojë të djegë, sidomos gjatë mëngjesit, nuk kthehet në dhjam.
Përfitimet nëse hani një mëngjes të plotë dhe të rregullt:
• Ngrënia e mëngjesit çdo ditë zvogëlon sasinë ditore të energjisë që merrni nga yndyrnat.
• Një mëngjes i plotë dhe i ushqyeshëm përmirëson krijimtarinë dhe performancën në klasë. Njerëzit që hanë mëngjes kanë tendencë të kenë nivele të ulëta kolesteroli në krahasim me ata që nuk hanë.
• Një mëngjes i ekuilibruar mirë ndihmon në funksionin e trurit, përmirëson kujtesën dhe nivelet përqendrimit.
• Për më tepër, një mëngjes i shëndetshëm mund të zvogëlojë urinë gjatë ditës, duke i ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhje më të mira ushqimore gjatë vakteve të tjera, duke shmangur kështu vaktet me yndyrë.
• Konsumi ditor i drithërave orizore, si gruri (Kuakeri) apo drithëra të pasura me krunde, u sigurojnë si adoleshentëve ashtu edhe të rriturve 20 gram fibra bimore në ditë.
Mosngrënia e mëngjesit zakonisht i bën njerëzit të hanë më shumë produkte me vlera të ulëta ushqyese gjatë ditës (ëmbëlsira, produkte brumi, patatina, etj.) duke rritur kështu rrezikun e obezitetit, dhe duke shkaktuar efekte negative në memorie, përqendrim dhe performancën në klasë.
Asnjëherë mos harroni se vetëm një gotë qumësht nuk është e mjaftueshme. Përgatiteni mëngjesin një natë më parë për të kursyer kohë në mëngjes.
Zgjedhje të shëndetshme për mëngjesin
• 1 filxhan qumësht me drithëra integrale dhe 1 frutë
• 1 vezë, 1-2 feta bukë, pak djathë dhe 1 frutë
• 1 filxhan qumësht, 1 copë kek të bërë vetë dhe 1 frutë
• 1 filxhan qumësht, 1-2 feta buke, pak gjalpë dhe mjaltë dhe 1 frutë apo lëng frutash të freskët
• 1 gotë kos me drithëra integrale dhe 1-2 fruta
• 1 tost (bukë, proshutë, djathë) dhe 1 frutë apo lëng frutash të freskët
• 1 filxhan qumësht, 1-2 feta bukë me salcë susami dhe mjaltë dhe 1 frutë apo lëng frutash të freskët
Maria SkouraDietologe, Anëtare shkencore e Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët