Të ushqyerit gjatë sezonit të provimeve
Të ushqyerit gjatë sezonit të provimeve – Si të karikoni bateritë
Maria Skoura
Gjatë adoleshencës, studentët kalojnë stres mendor, veçanërisht gjatë sezonit të provimeve. Adoleshentët përjetojnë nivele të larta ankthi që duhet mbajtur nën kontroll nëse dëshirojnë të përmbushin objektivat e tyre. Gjatë periudhave të stresit, frymëmarrja përshpejtohet, zemra rreh më shpejt dhe më fort dhe trupi ka nevojë për më shumë energji. Kjo do të thotë se duhet konsumuar më shumë ushqim dhe këtu ngrihet edhe çështja e zgjedhjes së ushqimeve. Të ushqyerit gjatë kësaj periudhe kritike luan një rol të rëndësishëm për përmbushjen e objektivave. Natyrisht që është shumë e rëndësishme që gjithmonë të kujdeseni për veten duke ndjekur një dietë të shëndetshme, dhe jo vetëm gjatë sezonit të provimeve. Ja disa këshilla për rezultate intelektuale maksimale, për të rritur përqendrimin, për të përmirësuar kujtesën dhe për të ndihmuar trupin tuaj të kapërcejë sfidën e provimeve.
Hani mëngjes të ushqyeshëm – vakti më i rëndësishëm për rezultate intelektuale. Mund t’i shtoni qumështit drithëra dhe një lugë arra ose disa fruta të thata për t’i dhënë trupit lipide Ω3, të cilat përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe veprimtarinë e trurit. Frutat e freskëta janë gjithashtu burim i mirë i vitaminës C, çka kontribuon në forcimin e sistemit imunitar dhe ndihmon trupin të përballojë stresin.
Mos harroni vaktet e vogla mes vakteve kryesore– ato rrisin prodhimin e glukozës në tru, e cila është e domosdoshme për veprimtarinë intelektuale. Kjo arrihet me sukses duke ngrënë fruta të freskëta të kombinuara me një ose dy lugë fruta të thata të papërpunuara dhe pa kripë. Gjithashtu, mund të kombinoni frutat ose lëngjet e freskëta me copa drithërash apo biskota që ndihmojnë në tretjen e ushqimit. Pasdite, mund të hani si vakt kos me fruta të freskëta dhe një – dy lugë çaji fruta të thata, pak mjaltë dhe kanellë, që i shton dietës tuaj të përditshme përbërës më ushqyes, si për shembull proteinat dhe kalciumi.
Shmangni vaktet e gjata dhe të rënda– veçanërisht në mbrëmje, pasi një darkë me shumë yndyrë, duke përfshirë ushqimet e ftohta dhe të skuqura, mund të ketë efekt negativ në cilësinë e gjumit dhe të ndikojë në rezultatet tuaja intelektuale. Sallatë jeshile me një porcion mish, peshk ose djathë dhe një fetë bukë thekre ose biskota elbi, është një vakt i plotë dhe i lehtë.
Pini shumë lëngje: Një trup i hidratuar mirë mund të përballojë më mirë periudhat e veprimtarisë intelektuale, si për shembull sezoni i provimeve. Provoni të pini ujë rregullisht, por edhe lëngje të freskëta pa i hedhur sheqer. Gjithashtu pini edhe qumësht, por kujdes mos pini shumë kafe. Konsumi i tepërt i kafeinës rrit ankthin dhe ndikon në rezultatet intelektuale. Një deri në dy filxhan në ditë janë më se mjaftueshëm.
Të gjitha këshillat e përmendura më lart mund të ndihmojnë performancën e trupit tuaj, përmirësojnë veprimtarinë tuaj intelektuale dhe kujtesën, duke ju ndihmuar të dilni me sukses në provime.
Maria SkouraDietologe, Anëtare shkencore e Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët