Çrregullimet në të ngrënë
Çrregullimet në të ngrënë: anoreksia nervore, bulimia
Maria Skoura
Çrregullimet në të ngrënë fillojnë zakonisht gjatë adoleshencës. Në fakt, kohët e fundit ka një rritje të çrregullimeve në të ngrënë mes adoleshentëve, veçanërisht mes vajzave adoleshente. Çrregullimet më të zakonshme, anoreksia nervore dhe bulimia nervore, shpesh kërcënojnë rritjen normale dhe shëndetin e vajzave të reja, ndërsa anoreksia nervore, në raste të caktuara, mund të rezultojë vdekjeprurëse.
Sipas një studimi, në Greqi, 6% e popullsisë (1% nga anoreksia nervore dhe 5% nga bulimia nervore), vuan nga çrregullime në të ngrënë, ndërsa në 7% të tjerë shfaqen simptoma të caktuara të njërës apo të të dyjave sëmundjeve, kështu që përqindja në total shkon deri në 13%.
Anoreksia nervore është një çrregullim me shumë pasoja negative për shëndetin tuaj, sidomos kur është kronike. Kjo është një sëmundje mendore dhe karakterizohet nga mania e një vajze për të humbur peshë, edhe nëse pesha e saj është në nivelet normale për moshën. Njerëzit me anoreksi zakonisht e kufizojnë shumë sasinë e ushqimit që hanë dhe gjithashtu mund të përpiqen të humbasin peshë duke u stërvitur më tepër seç duhet. Për të qenë të qartë, anoreksia nervore nuk shkaktohet nga dieta, por ajo çka pothuajse gjithmonë e paraprin këtë çrregullim është dieta. Vajzat që vuajnë nga anoreksia nervore priren të jenë perfeksioniste, arrijnë rezultate të larta në shkollë, janë shumë të prirura të kënaqin të tjerët, kanë vetëbesim të ulët që mund shoqërohet me depresion.
Anoreksia nervore mund të dëmtojë rëndë shëndetin e një vajze. Ushqyerja e pamjaftueshme shkakton dobësim të metabolizmit, çka shkakton rrahje të ngadalta të zemrës. Për më tepër, preken edhe organe të tjera të trupit, ndërsa pesha anomalisht e vogël e trupit mund të shkaktojë mungesë të periodave tek femrat. Anoreksia nervore çon në zvogëlimin e densitetit të kockave (osteoporoza), e cila i bën kockat e thata dhe të brishta. Simptoma të tjera janë humbja e flokëve dhe një lëkurë e thatë.
Njerëzit me bulimi nervore shpesh konsumojnë ushqim në sasi jonormale (hanë më shumë seç duhet), në një periudhë të shkurtër kohe, pa qenë domosdoshmërish të uritur. Më vonë, duke u ndjerë në faj dhe parehati, ata vjellin pasi hanë ose abuzojnë me laksativët, pilulat dietike, diuretikët. Ky cikël përsëritet disa herë në ditë. Kjo mund të shkaktojë probleme serioze gastrointestinale, sëmundjen e refluksit gastro-ezofageal dhe erozion dental për shkak të acideve gastrike të shkaktuara nga të vjellat.
Edhe mbingrënia për shkaqe emocionale është një çrregullim i të ngrënit, që mund të shfaqet gjatë adoleshencës. Konsumi i sasive të mëdha të ushqimit, jo i shkaktuar nga uria, por nga stresi, depresioni nga mërzitja dhe çrregullime të tjera emocionale, mund të çojë në obesitet.
Zyrtarisht, obeziteti konsiderohet si problem shëndetësor dhe jo si shqetësim mendor, megjithatë kjo mund të ketë efekte serioze negative psikologjike gjatë pubertetit, të cilat mund të jenë po aq të rënda për çrregullimet organike. Obesiteti zakonisht tregon prirje për çrregullime në të ngrënë, si dhe për anoreksi nervore dhe bulimi nervore.
Si anoreksia nervore ashtu edhe bulimia nervore janë çrregullime shumë të rënda për shëndetin e një vajze dhe duhet të trajtohen në një fazë të hershme. Përgjithësisht, trajtimi bëhet nga një ekip mjekësh, ku të përfshihen specialistë të shëndetit mendor, pediatër dhe dietologë. Në rast se ju apo miku juaj shfaqni simptoma të ngjashme, duhet të flisni me prindërit tuaj apo të mikut tuaj, dhe të konsultoheni me një terapist sa më shpejt të jetë e mundur. Me ndihmën e një specialisti, shumë shpejt do të ndiheni më mirë. Mbani mend se çdo problem e ka një zgjidhje.
Maria SkouraDietologe, Anëtare shkencore e Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët