Udhëzues për metodat kontraceptive
Sipas studimeve, numri i rasteve të shtatzënisë së padëshiruar gjatë adoleshencës është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Numri besohet se është 84 milion në vit në të gjithë botën dhe në 33 milion të këtyre rasteve nuk është përdorur asnjë metodë kontraceptive.
Në Greqi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 4 nga 5 adoleshente që kanë nisur marrëdhëniet seksuale pa përdorur metoda kontraceptive përballen me rrezikun e shtatzënisë së padëshiruar gjatë vitit të parë të kontakteve të tyre seksuale. Numri i aborteve mendohet se është 100 000 – 250 000 në vit, ndërsa 20%-25% e tyre kryhen te vajzat nën moshën 16 vjeçare.
Metodat kontraceptive parandalojnë transmetimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënitë e padëshiruara. Ka disa metoda:
• Abstinenca nga marrëdhëniet seksuale ose ndërprerja e aktit seksual (tërheqja) “metoda e nxjerrjes jashtë”, kur një burrë ejakulon jashtë vaginës
• Prezervativi mashkullor dhe femëror
• Pilulat kontraceptive
• Metoda të tjera që nuk përdoren zakonisht për moshën tënde, si spiralja kontraceptive
Mos harro se metoda kontraceptive ideale duhet të jetë e sigurt, efikase, e tolerueshme dhe të ketë sa më pak efekte anësore që të jetë e mundur.
Metoda e “nxjerrjes jashtë” është më e përhapura tek adoleshentët, edhe pse ka nivele të larta mossuksesi.
Nga ana tjetër, metoda e dytë më e përdorur është prezervativi mashkullor, i cili ka avantazhet e mëposhtme:
• Kushton pak
• Mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme
• Nivelet e mossuksesit janë afërsisht 2% (përdorim ideal), kur e përdor sa herë që bën seks dhe gjatë marrëdhënies seksuale.
Pilulat për kontrollin e lindjeve janë metoda më e vjetër e kontraceptivëve hormonale, duke qenë se janë përdorur për më shumë se 40 vjet dhe siguria e përdorimit të tyre është vërtetuar nga miliona gra. Pilulat kontraceptive, përveç parandalimit të shtatzënisë në një nivel prej 99,7%, kanë edhe përfitime të tjera, si pastrimi akneve, zbehja e qimeve dhe përmirësimi i ciklit. Megjithatë, nuk duhet të pini duhan gjatë kohës që pini pilulën, përndryshe përballeni me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe koagulimit të gjakut. Megjithatë, nuk ka asnjë studim që të sugjerojë se pilulat kontraceptive shkaktojnë shtim në peshë.
Ka gjithashtu edhe metoda kontraceptive afatgjata, siç është spiralja kontraceptive, edhe pse nuk është shumë e përhapur në Greqi. Ajo futet në mitër për një periudhë të gjatë kohe, rreth 5 vjet, është shumë e efektshme kundër shtatzënisë por nuk mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Mos harro se kombinimi i prezervativit mashkullor dhe pilulave kontraceptive është metoda ideale për të shmangur shtatzëninë e padëshiruar dhe për t’u mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Megjithatë, mënyra më e mirë dhe më e sigurt që një adoleshent të vendosë se cilën metodë kontraceptive të përdorë, është konsultimi me gjinekologun.
Vassilios KarountzosMjek Obstetër dhe Gjinekolog, kandidati për PhD në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës, Anëtar shkencor i Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët
Efthymios Deligeoroglou
Profesor i Obstetrisë dhe Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Athinës, Anëtar shkencor i Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët
Artemis Tsitsika
Profesor i asociuar në Pediatri - Mjekësia për Adoleshentët
Koordinator shkencor i programit “PROLEPSIS”, që drejtohet nga Shoqata Mjekësore Greke për Adoleshentët