Objektet gra
Thuaju “Jo” modeleve që i kthejnë gratë në objekte
Vasiliki Dimitrakopoulou
Gjatë pubertetit, trupi juaj rritet ndjeshëm dhe shumë shpejt shndërrohet në trupin e një gruaje të rritur. Ndonjëherë, kjo mund t’ju bëjë të ndjeheni jo rehat. Revistat dhe televizionet shpesh publikojnë këshilla sesi të kujdeseni për trupin tuaj dhe sesi të silleni siç duhet.
Ndoshta e keni vënë re se televizioni, revistat dhe mediat e komunikimit masiv në përgjithësi i paraqesin gratë, por edhe vajzat e moshës tuaj, në një mënyrë tepër specifike, duke vënë në dukje feminilitetin dhe seksualitetin e tyre. Në videot muzikore, shfaqjet televizive, reklamat, lojërat elektronike dhe revistat për vajzat e moshës tuaj, gratë pozojnë me veshje provokuese, në mënyrë që të tregojnë seksualitetin e tyre, dhe përdoren si objekte zbukuruese që vallëzojnë apo ekspozohen. Një temë e zakonshme nëpër revista janë këshillat sesi të bëheni seksualisht të dëshirueshme për të tërhequr vëmendjen e burrave.
Në këtë mënyrë, paraqitja dhe seksualiteti bëhen objektivi numër 1 në jetën e një gruaje, ndërkohë që të gjitha cilësitë dhe virtytet e tjera lihen mënjanë. Me fjalë të tjera, të jesh e bukur është njëlloj si të jesh “seksi”. Psikologët raportojnë se ky qëndrim sjell si rezultat krijimin e seksizmit. Vajzat e moshës tuaj trajnohen nga mediat e komunikimit masiv që të pranojnë të trajtohen si objekte seksuale dhe të përdorin trupin e tyre si instrument të kthimit në objekte seksuale.
Shumë vajza të moshës tuaj, të cilat ekspozohen shpesh ndaj këtyre modeleve, janë të zhgënjyera me pamjen e tyre fizike, zhvillojnë çrregullime në të ngrënë, kanë vetë-vlerësim të ulët, depresion, rezultate të ulëta në shkollë, i bëjnë keq vetes dhe bëjnë operacione plastike të dhimbshme.
Kthimi i grave në objekte seksuale ka krijuar ndjenja negative te vajzat, duke i bërë të ndjehen keq me trupin e tyre, në ankth për pamjen e tyre dhe të kenë frikë nga ajo që dikush tjetër mund të mendojë për to, madje edhe të ndjejnë neveri nga vetja e tyre.
I ashtuquajturi “seksualizim” i vajzave të moshës tuaj lidhet edhe me agresivitetin, dhunën, ngacmimet seksuale dhe abuzimin nga ana e të dashurit, bashkë me forma të tjera sjelljesh të rrezikshme.
“Kam qenë shumë më ndryshe nga ç’jam tani, vishesha në mënyrë provokuese, dilja me disa djem, nuk mund ta merrni me mend se ç’kanë hequr prindërit e mi, kisha dalë jashtë kontrollit, nuk kuptoja asnjë fjalë se çfarë më thoshin. Në fund mbeta shumë e zhgënjyer, kuptova se në të vërtetë nuk kisha asnjë rëndësi për djemtë, ata nuk kënaqeshin me asgjë, më fyenin duke më thënë se nuk isha seksi mjaftueshëm, se gjinjtë e mi nuk ishin mjaftueshëm të mëdha, djemtë i thonë këto gjëra….” (Dimitra, 18 vjeç)
Ndaj dhe është e rëndësishme që të zhvilloni të menduarit në mënyrë kritike dhe të jeni të mirë-informuara, për të kundërshtuar këta stereotipa seksistë, për të ruajtur vlerat, parimet dhe qëndrim tuaj personal, dhe për të mbrojtur veten. Mundohuni të zhvilloni mekanizma vetë-mbrojtjeje kundër “seksualizimit” dhe abuzimit dhe refuzoni gjithmonë sjelljet abuzive me fjalë. Vullnetarizmi ashtu si edhe veprime të tjera do të kontribuojnë që të përhapet fjala dhe do të ndihmojnë që miqtë tuaj të informohen dhe të mbrohen.
Gjithashtu, mos harroni të merrni edukatën e duhur seksuale për vajzat e moshës tuaj nga institucione të vlefshme dhe burime të tjera shkencore, tregohuni konsumatore e “zgjuar” dhe përdoreni me kujdes internetin.
Vassiliki DimitrakopoulouPsikolog, Anëtar shkencor i Shoqatës Mjekësore Greke për Adoleshentët