Shtatzënia dhe vetëvlerësimi
Shtatzënia shoqërohet me ndryshime të mëdha në trupin e gruas shtatzënë. Ajo shoqërohet me ndryshime hormonale dhe ndryshime në pamje, duke qenë se trupi pëson ndryshime të shumta.
Zakonisht, këto ndryshime hormonale përmirësojnë humorin e gruas shtatzënë.
Ndaj, një grua që e pranon trupin dhe feminilitetin e saj do ta dojë trupin e saj “të ri” dhe do të ndihet krenare për të.
Nga ana tjetër, një grua me vetëvlerësim të ulët dhe që ndihet keq për trupin e saj, gjatë kohës së shtatzënisë i percepton ndryshimet në trup si shenja obeziteti dhe nuk ndihet rehat me atë formë.
Ndryshimet në trup sa vijnë e bëhen më të mëdha me kalimin e muajve. Rrobat nuk i bëjnë më dhe gruaja ka nevojë për masa më të mëdha ose rroba të posaçme për gra shtatzëna.
Nëse ajo ndihet keq me trupin e saj të ri, gruas shtatzënë mund t’i vijë turp dhe mund të refuzojë të dalë e zhveshur, për shembull në plazh ose përpara partnerit të saj.
Megjithatë, për shumicën e grave ky trup i ri shpesh përfaqëson një trup “të plotë”. Ekzistenca e qeses amniotike dhe fëmija që po rritet brenda saj i japin një ndjesi plotësimi. Ai kthehet në një burim kaq të madh gëzimi, saqë për disa gra, lindja e fëmijës dhe ndarja nga trupi i tyre perceptohet si humbje. Në varësi të psikologjisë dhe vetëbesimit të gruas, kjo humbje mund të zëvendësohet me sukses nga gëzimi i mbajtjes në krahë të fëmijës, ose mund të çojë në depresion pas lindjes.
Si përfundim, pranimi i formës sonë natyrale mbron pamjen tonë trupore pas shtatzënisë dhe tregon besim të lartë te vetja.
Një grua shtatzënë, njësoj si një vajzë adoleshente, mund të kalojë shumë orë përpara pasqyrës duke vështruar ndryshimet në trupin e saj. Gjoksi i saj i ri që rritet gjatë shtatzënisë mund t’i duket shumë tërheqës, veçanërisht një gruaje që e vlerëson trupin e saj.
Nga ana tjetër, ajo mund të përballet me ankthe të reja duke vrarë mendjen sesi trupi i saj do të kthehet në formën e mëparshme. Këto shqetësime nuk janë të kota, sepsetrupi vërtet mund të varet gjatë ditëve të para pas lindjes dhe ka nevojë për kujdes të veçantë.
Ndaj, një grua që ndihet mirë me atë që po i ndodh dhe kujdeset për veten merr masa parandaluese të përshtatshme për ta mbajtur trupin sa më në formë të jetë e mundur duke përdorur produkte për zbutje lëkure.
Gjatë shtatzënisë, për shkak të çrregullimeve hormonale dhe mungesës së ushtrimeve fizike, pesha e gruas mund ta kalojë peshën normale. Ndaj ajo duhet të tregojë kujdes dhe të mundohet të hajë mirë, duke shmangur ushqyerjen që mund të dëmtojë pamjen e saj trupore dhe shëndetin e saj dhe të fëmijës, duke qenë se pesha e madhe lidhet me diabetin.
Nga ana tjetër, gruaja gjatë shtatzënisë duhet të heqë dorë nga produktet e bukurisë që përmbajnë kimikate siç janë bojërat e flokëve, manikyri, etj. Disa gra që investojnë shumë në këto produkte bukurie, mund të mendojnë se nuk do të jenë më tërheqëse. Megjithatë, është e rëndësishme që gruaja të konsultohet me gjinekologun përpara se të përdorë produkte të tilla, me qëllim që të mbrojë shëndetin e fetusit.
Trupi “i ri” i gruas shtatzënë nuk i “përket” vetëm asaj. Me kalimin e kohës, ajo bëhet më e përgjegjshme për t’u kujdesur për shëndetin e saj, veçanërisht pasi fillon të ndiejë lëvizjet e fëmijës.
Kështu që, për shumë gra shtatzënia mund të rrisë ndjenjën e vetëbesimit. Trupi i tyre merr një kuptim të ri, një “plotësim” të ri që shoqëron amësinë.
Edhe ushqyerja me gji është diçka që ndikon në vetëbesimin e gruas dhe imazhin që ajo ka për trupin e saj. Ka shumë gra që besojnë se kjo praktikë shkatërron identitetin e tyre seksual. Ato nuk ndihen rehat, siç thonë dhe vetë, dhe shpesh nuk e ushqejnë fëmijë me gji, duke humbur kështu mundësinë unike për të përjetuar këtë përvojë të re me fëmijën e tyre.
Nga ana tjetër, një grua me besim të lartë te vetja i gëzohet ushqyerjes me gji. Të gjithë gjinekologët ngulin këmbë se ushqyerja me gji e mbron gjoksin nga humbja e menjëhershme e volumit dhe e mban të bukur.
Si përfundim, pranimi i formës sonë natyrale mbron pamjen tonë trupore pas shtatzënisë dhe tregon besim të lartë te vetja.
Burim: www.babylino.gr