Kthimi në punë
Kthimi në punë pas lejes së lindjes asnjëherë nuk është vendim i lehtë. Të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në jetën tënde, me shtatzëninë dhe lindjen e fëmijës, nga njëra anë, dhe dhimbjen që ndjen kur mendon se do të largohesh nga shtëpia për shumë orë, nga ana tjetër, mund të të privojnë nga disa çaste të rëndësishme me fëmijën që po rritet dhe të bëjnë të ndihesh fajtore dhe të kesh dyshime nëse je gati që të lësh fëmijën në shtëpi dhe t’i kthehesh përgjegjësive të tua profesionale.
Vendimi për t’u kthyer në punë vjen për nevoja që janë të ndryshme për çdo grua:
1. Kontributi për të ardhurat familjare. Kjo mund të jetë arsyeja më e fortë që një grua të kthehet në punë. Veçanërisht pas ardhjes së fëmijës, shpenzimet janë më të mëdha si në fillim edhe gjatë periudhës kur fëmija rritet; ndaj kontributi i nënës në buxhetin e familjes është një faktor që ndikon shumë në marrjen e këtij vendimi.
2. Vendosja e një standardi Shumë gra duan që të kthehen në punë sepse ato duan që t’u ofrojnë fëmijëve të tyre modelin e gruas që kontribuon si për familjen edhe për shoqërinë. Modelin e një gruaje që është e pavarur, me besim tek vetja, që ndihet mirë me veten dhe të gjitha këto pasqyrohen në të qenit një prind i mirë.
3. Nevoja për të qenë krijuese. Ty të pëlqen puna jote dhe ndjesia e kreativitetit që ajo të ofron. Ti e adhuron gëzimin që të jep amësia, por të mungon intensiteti dhe kreativiteti i vendit të punës.
Cilado qoftë arsyeja, fakti që ti punon ndoshta tregon se edhe puna është pjesë e personalitetit tënd, njësoj si amësia. Ti je rritur me idenë e barazisë, ke studiuar, je munduar t’ia dalësh vetë, dhe ndihesh krenare që mund të mbështetesh në forcat e tua.
Ndaj nëse kthehesh në punë edhe për nevoja personale, përveç se për arsye praktike, nuk duhet të ndihesh fajtore. Rëndësi ka që të jesh e lumtur dhe të gjesh ekuilibrin me zgjedhjet e tua. Kështu mund të jesh e sigurt se familja dhe fëmija do të të kuptojnë sepse bashkëshorte dhe nënë e mirë është ajo që është bashkëshorte dhe nënë e lumtur.